Në kryeqytetin Kabul të Afganistanit po veprojnë vetëm 3 ambasada të huaja, e Rusisë, Kinës dhe Pakistanit.
Të gjitha vendet tjera kanë evakuuar personelin e ambasadave të tyre. Vendi fundit që tërhoqi stafin ishte India.
“Duke marrë parasysh rrethanat është vendosur që ambasadori ynë në Kabul dhe stafi i tij të zhvendosen menjëherë në Indi”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme indiane Arimdam Bagchi në Twitter më 17 gusht.
Njoftimi vjen derisa mijëra afganë po përpiqen me çdo kusht të largohen nga Kabuli pasi qyteti u mor nën kontroll nga talibanët.
Më herët, më 17 gusht, Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së tha se aeroporti i Kabulit ishte rihapur pasi fluturimet ishin ndalur një ditë më parë për shkak të situatës së sigurisë.
Mullah Baradar, udhëheqësi i byrosë poltitike të talibanëve, gjatë bisedimeve të paqes në Doha të Katarit më 18 korrik 2021.
Rusia ka thënë se do të evakuojë vetëm pjesërisht stafin e saj të ambasadës.
Ambasadori i saj Dmitry Zhirnov do të zhvillojë bisedime me përfaqësuesit e talibanëve më 17 gusht për të diskutuar sa i takon sigurisë së qytetarëve rusë dhe personelin e Ambasadës.
Të hënën, presidenti amerikan, Joe Biden tha se operacioni i largimit të personelit amerikan dhe punëtorëve afganë është duke vazhduar dhe se iu kanë dërguar mesazh talibanëve që nëse e pengojnë këtë operacion do të përballen me përgjigje të shpejt dhe të ashpër, shkruan REL.
Talibanët kanë deklaruar se Afganistani është në kontrollin e plotë të tyre, pasi ata morën pallatin presidencial më 15 gusht, vetëm pak orë pasi presidenti Ashraf Ghani iku nga vendi. Militantët islamikë nuk hasën në rezistencë derisa rimorën kontrollin, 2 dekada pasi u rrëzuan nga forcat e huaja, të udhëhequra nga SHBA-ja. Në aeroportin e Kabulit të hënën kanë shpërthyer skena kaotike, pasi qindra njerëz përpiqeshin të iknin nga vendi.