Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka konfirmuar se po diskuton me qeverinë e Kosovës lidhur me mundësinë e asistimit të Kosovës në ndihmën ndaj afganëve.
“Po, mund ta konfirmojmë që qeveria e Shteteve të Bashkuara është në diskutime me qeverinë e Kosovës për atë se si Kosova mund t’i asistojë partnerët amerikanë në Afganistan”, është përgjigjur Ambasada e SHBA-ve për Klankosova.tv.
“Nuk kemi detaje të mëtutjeshme për t’ju dhënë për momentin. Kur t’i kemi, do t’ju njoftojmë”.
Sot më herët për Klanin ishte shefi i stafit të kryeministrit, Luan Dalipi, ai i cili e kishte konfirmuar këtë diskutim për mëse një muaj për ndihmën,
“Që nga mesi i korrikut jemi në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet shtetërore dhe ushtarake amerikane për këtë çështje të dhimbshme e të ndjeshme. Ka shumë punë logjistike e teknike, të sigurisë dhe sociale, që po i trajtojmë me kujdes. ShBA-të janë aleati ynë kryesor dhe partneri ynë strategjik. Gjithçka do të përmbyllet mirë”, ka thënë shefi i stafit të kryeministrit, Luan Dalipi.