Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, ka folur sot rreth qëndrimeve të fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë sa i përket iniciativës së “Open Balkan” të lansuar në Shkup pas takimit me Edi Ramën dhe Zoran Zaevin.
Vuçiq ka thënë se ndihet mirënjohës që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mbështetur iniciativën e “Open Balkan” që nga fillimi.
Kreu i shtetit serb është pyetur edhe për qëndrimin e njëjtë që ka Gjermania sa i përket iniciativave për bashkëpunim rajonal, duke thënë se një gjë e tillë nënkupton që “njerëzit që e shohin iniciativën si krijim të Serbisë së Madhe, aktualisht s’janë duke kuptuar asgjë”.
“Kur e dëgjon një argument të tillë që iniciativa është krijim i Serbisë së Madhe, ti mund ta kthesh kokën dhe të thuash: këta njerëz s’kuptojnë asgjë. Amerikanët janë duke hyrë në thelb dhe iu jam mirënjohës për këtë”, ka thënë Vuçiq, shkruan Kosovo Online.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se mbështesin nismat për bashkëpunim rajonal, derisa kanë kërkuar nga Kosova që të jetë më mendje hapur ndaj tyre, transmeton Express.
Gjithashtu qëndrim pozitiv për punën e nismave rajonale ka pasur edhe Qeveria Gjermane. Nga Berlini zyrtar për Gazetën Express kanë thënë se secili bashkëpunim rajonal ka përfitimet e veta.
