Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në riatdhesimin e Heroit Kombëtar Demë Ali Pozhari, përcjell InLajmi.
Haradinaj ka shkruar se Demë Ali Pozhari do të prehet në vendlindjen e tij në Pozhar të Deçanit, pranë vëllezërve, djemve e familjarëve, sipas amanetit të tij.
Ai gjithashtu ka shkruar se është i nderuar që ka marrë pjesë në Këshillin Organizativ të rivarrimit, me pjesëmarrës të rëndësishëm, kryesuar nga kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj si dhe familjarë të Demë Ali Pozharit.
Tutje i pari i AAK-së ka thënë se Demë Ali Pozhari është dekoruar nga Republika e Shqipërisë me “Nderi i Kombit” si dhe nga Republika e Kosovës me “Urdhëri i Lirisë”.
Postimi i plotë i tij:
Heroi Kombëtar Demë Ali Pozhari po riatdhesohet!
Nga 21 gushti Demë Ali Pozhari do të prehet në vendlindjen e tij në Pozhar të Deçanit, pranë vëllezërve, djemve e familjarëve, sipas amanetit të tij.
I nderuar sot të marrë pjesë në Këshillin Organizativ të rivarrimit, të përbërë nga zyrtarë komunal, historianë, përfaqësues të kulturës, fesë, kategorive të lirisë, pjesëtarë të familjes dhe personalitete të tjera me rëndësi, të kryesuar nga z. Bashkim Ramosaj. Gjithashtu kam vizituar vendin ku do të prehen eshtrat e Heroit.
Demë Ali Pozhari ishte komandant çetash e prijës popullor në mbrojtje të trojeve shqiptare. Ai ndoqi traditën familjare të atdhedashurisë. Stërgjyshi i tij, Ali Rexha me të vëllain Bekën me 1876 ranë heroikisht në mbrojtje të trojeve shqiptare te Kalaja e Nishit, gjyshi i tij, Mehmet Ali Pozhari me 1878, bie në luftën kundër Maxhar Pashës në Gjakovë, vëllezërit e Demës, Meta dhe Rexhë Alia të vrarë me 1921 përkatësisht 1928, ndërsa djemtë e Demës, Miftari e Afrimi u vranë në tortura e Brahimi nga plumbat e regjimit komunist jugosllav.
Tërë jeta e Demë Alisë ishte në shërbim të interesave të vendit e kombit. Ai është dekoruar në Republikën e Shqipërisë me “Nderi i Kombit” dhe në Republikën e Kosovës me “Urdhëri i Lirisë”.
Kulla e Demë Ali Pozharit u dogj katër herë nga pushtues e regjime të ndryshme. Por, aty sot vazhdon jeta e brezit të ri, në lirinë e cila erdhi falë sakrificës dhe frymëzimit të atdhetarëve si ai.
RH /InLajmi/