2 persona janë lënduar, kurse 3 të tjerë janë shoqëruar në Polici, pas një rrahjeje që ka ndodhur sot pasdite mes pjesëtarëve të 2 familjeve në fshatin Hericë të Podujevës.
Ngjarjen e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 15:30 është pranuar informata për një përleshje fizike në progres në fshatin Herticë të Podujevës. Me të marrë informatën policia, ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar 3 persona të cilët ishin të përfshirë në rast”, ka thënë Ahmeti.
“Si pasojë e rrahjes 2 persona kanë pësuar lëndime trupore. Aktualisht policia po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë zëdhënësja Ahmeti.
Telegrafi mëson se përleshja ka ndodhur mes pjesëtarëve të 2 familjeve të këtij fshati dhe gjatë përleshjes janë përdorur mjete të forta (gurë).