Pas mbledhjes së kryesisë, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila ka mbajtur konferencë për media, raporton InLajmi.
Gjatë kësaj konference Kusari – Lila është pyetur për raportin Kosovë – Shqipëri, pas iniciativës “Open Balkan”, ku ka thënë se sa i përketë kësaj iniciative, ende nuk janë arsyetuar deklarimet që kanë inicuar këtë nismë.
“Unë mendoj që ajo se çka është diskutuar deri tash janë informacione që nuk janë trajtuar asnjëherë, prej kur është plasuar minishengeni deri tash ‘Open Balkan’, nuk janë arsyetuar deklarimet e tyre që e iniciuan, pse duhet të jetë më mirë. Në rrethana në të cilat Kosova ka një histori tepër të rëndë, nuk mundemi ne që një far mënyre të besojmë që Serbia ndryshon”, ka thënë Kusari-Lila.
Tutje shefja e grupit të LVV-së ka përmendur edhe partitë të tjera të cilat nuk e kanë përkrahur “Open Balkan”.
“Tashmë ekziston deklarimi i të gjitha partive në Kosovë që nuk e mbështetim një ‘Open Balkan’, e kemi pas një kryeministër që ka nënshkruar për minishengenin, po e njëjta parti tash e ka kundërshtu, ne nga fillimi e kemi kundërshtuar, sepse në këtë moment, Serbia është bosht i kësaj iniciative. Nuk jemi i vetmi shtet që po e refuzojmë, tri nga gjashtë shtetet e kundërshtojnë iniciativën”, ka vazhduar ajo.
“Në raport me Shqipërinë, jemi më tepër ithtar të trajtimit të problemeve aktuale, qoftë në shkëmbime tregtare, qoftë në sfidat tjera. Çka do që mund të jenë nismat, raportet e Kosovës me Shqipërinë mbeten më të veçantat për qytetarët e Republikës, me kryeministrin Rama në iniciativën që njëanshëm e filloi ai natyrisht se do të vazhdohet biseda, por jo për këtë ide”, ka thënë Mimoza Kusari – Lila./InLajmi/