Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës, po vazhdon të bëjë thirrje të njëpasnjëshme për vaksinim, përcjell InLajmi.
Në njoftimin e fundit nga ky Institut janë publikuar detaje për vaksinimin në formë të pyetjeve dhe përgjigjeve, gjë që mund të qartësojë më shumë qytetarët që kanë dyshime për vaksinën.
Në njoftimi shkruhet për rëndësinë dhe sigurinë e vaksinave kundër koronavirusit, që janë në dispozicion në Kosovë. Fokusi është vënë në sigurinë e vaksinës duke thënë se çdo vaksinë testohet me rigorozitet para se të miratohet për përdorim.
Njoftimi i IKSHPK-së:
VAKSINAT DHE COVID-19: PYETJE DHE PËRGJIGJE
Çka është vaksinimi?
Vaksinimi është mënyra më e thjeshtë, më e sigurtë dhe më efektive për të mbrojtur njerëzit nga sëmundjet e dëmshme.
Vaksinimi përdor mbrojtjen natyrore të trupit tonë për të krijuar rezistencë ndaj infeksioneve specifike dhe e fuqizon sistemin imunitar.
Pse është i rëndësishëm vaksinimi?
Sepse shpëton jetë. Sot kemi në dispozicion vaksina për t’u mbrojtur nga të paktën 20 sëmundje të ndryshme, siç janë: difteria, tetanozi, paraliza e fëmijëve, gripi, fruthi, kanceri i qafës së mitrës, kolera, Covid-19, hepatiti, parotiti, meningjiti, etj.
Së bashku, këto vaksina shpëtojnë 3 milionë jetë njerëzish çdo vit, sidomos në vendet e pazhvilluara.
A janë të sigurta vaksinat?
Vaksinimi është i sigurt dhe efektet anësore nga një vaksinë janë zakonisht të vogla dhe të përkohshme, si p.sh. dhembje krahu dhe ethe. Efektet anësore më serioze janë të mundshme, por janë jashtëzakonisht të rralla.
Çdo vaksinë e licencuar testohet me rigorozitet në të gjitha fazat e hulumtimeve klinike para se të miratohet për përdorim./InLajmi/