Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se deri në këtë moment se 41% e personelit korrektues dhe afër 50% të burgosurve janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës anti-Covid, përcjell InLajmi.
Ministrja Haxhiu ka bërë thirrje edhe pjesës tjetër të personelit të Shërbimit Korrektues të Kosovës që të vaksinohen kundër koronavirusit, gjithashtu edhe të burgosurve.
Haxhiu ka shkruar se shëndeti individual i secilit është garantues për shëndetin publik të të gjithëve.
Postimi i saj i plotë:
Deri në këtë moment, vetëm 41% e personelit korrektues dhe pak më shumë se 50% e të burgosurve janë vaksinuar me dozën e parë kundër virusit COVID 19.
Për shkak të rritjes së vazhdueshme të rasteve të të infektuarve si pasojë valës së re të COVID-19, e njohur si varianti Delta dhe duke ditur ndjeshmërinë dhe mundësinë e përhapjes së virusit përbrenda institucioneve korrektuese, ftoj të gjithë personelin korrektues në SHKK sikurse edhe të burgosurit, që të vaksinohen me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit i cili ka marrë jetë njerëzish dhe shumë të tjerë kanë luftuar për jetën.
Shëndeti individual i secilit është garantues për shëndetin publik të të gjithëve. Le të kontribuojmë bashkërisht, për një shoqëri të shëndetshme! /InLajmi/