Vendi ynë po vazhdon të jetë i rrezikuar nga zjarret, përcjell InLajmi.
Lidhur me këtë, ka reaguar presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila tha se vendi jonë po përballet me rrezik nga zjarret dhe se ky rrezik ende nuk ka kaluar.
Sipas presidentes Osmani, institucionet e vendit me kapacitet të plotë po përpiqen për zvogëlimin e pasojave nga zjarret, por kjo përpjekje domosdoshmërisht kërkon edhe mbështetjen e qytetarëve.
“Zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pjesëtarët e Policisë së Kosovës mbështetur edhe nga KFOR-i, po bëjnë të pamundurën, por të gjithë kemi përgjegjësinë që ta rrisim kujdesin për ta ulur rrezikun nga shtrirja e zjarreve”, tha Osmani, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Djegia e hamulloreve konsiderohet ndër shkaktarët kryesorë të zjarreve, derisa Osmani ka kërkuar nga qytetarët e vendit që të përmbahen nga veprime të tilla, të cilat shkaktojnë rrezik të përgjithshëm.
Postimi i plotë i saj:
Të nderuar qytetarë,
Në kohën kur temperaturat ekstreme kanë përfshirë vendin tonë, rreziku nga zjarret është rritur tejmase. Prej disa ditësh në disa rajone të Kosovës situata është rënduar nga zjarret dhe ky rrezik ende nuk ka kaluar.
Institucionet e vendit me kapacitet të plotë po përpiqen për zvogëlimin e pasojave nga zjarret, por kjo përpjekje domosdoshmërisht kërkon edhe mbështetjen e qytetarëve. Zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pjesëtarët e Policisë së Kosovës mbështetur edhe nga KFOR-i, po bëjnë të pamundurën, por të gjithë kemi përgjegjësinë që ta rrisim kujdesin për ta ulur rrezikun nga shtrirja e zjarreve.
Djegia e hamulloreve konsiderohet ndër shkaktarët kryesorë të zjarreve, ndaj qytetarët duhet të përmbahen nga veprime të tilla, të cilat shkaktojnë rrezik të përgjithshëm.
Kosova është shtëpia jonë, ndaj të gjithë duhet të mobilizohemi ta ruajmë mjedisin dhe t’i ruajmë jetët e njerëzve tanë./InLajmi/