Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka bërë të ditur se si në vendet e ndryshme të botës që nga temperaturat e larta janë shkaktuar zjarret e shumta, ashtu edhe në komunën e Prizrenit, përcjell InLajmi.
Haskuka ka bërë të ditur se gjatë 2 ditëve që kemi lënë pas janë shkaktuar rreth 20 raste të zjarreve të cilat kanë shkaktuar dëme në zonat malore e fushore.
Tutje ai ka bërë të ditur se drejtoria për Emergjencë dhe Siguri është koordinuar me Ministrinë e Punëve të brendshme, FSK, Policinë e Kosovës, Qendrën Operative Emergjente dhe institucionet e tjera të sigurisë.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë,
Ashtu sikur në vende të ndryshme të botës, si pasojë të temperaturave të larta, edhe në territorin e komunës së Prizrenit janë paraqitur raste të zjarreve.
Gjatë dy ditëve që lamë pas, kemi pasur gjithsej 20 raste të zjarreve, të cilët kanë shkaktuar dëme sidomos në zona malore e fushore në rajonin e Zhupës, në Oshlak, Lubizhdë të Prizrenit e në Zhur. Ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve kanë marrë hapat e nevojshme konform situatës së paraqitur dhe gjendja aktuale në vend është e qetë.
Drejtoria për Emergjencë dhe Siguri është në koordinim të plotë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, FSK-në, Policinë e Kosovës, Qendrën Operative Emergjente dhe institucionet tjera të sigurisë. Ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve janë në gatishmëri të plotë për intervenime, të cilët përveç rasteve të zjarrit në komunën tonë, kanë marrë pjesë edhe në aksionet e shuarjes së zjarreve në komunën e Suharekës dhe të Pejës.
Shpresoj që të mos kemi raste të tjera të zjarreve, ndërkaq ftoj gjithë qytetarët, sidomos banorët dhe vizitorët e zonave malore e fushore, që të kenë kujdes të shtuar në këto vende të rrezikuara si pasojë të temperaturave të larta. /InLajmi/