Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturor, Liburn Aliu në seancën e sotme parlamentare ka bërë të ditur se pjesa e trasesë prej katër shiritave të magjistrales Podujevë-Prishtinë do të përfundojë në vjeshtë, raporton InLajmi.
Aliu u shpreh se kjo rrugë ka probleme të shumta, duke u shtuar se për këtë arsye është krijuar një komitet i veçantë i auditimit, i cili do t’i analizojë projektet në hollësi.
“Ka probleme të ndryshme teknike, konkrete në terren, për të cilat duhet marrë masa të veçanta për sanimin e tyre. Fatkeqësisht duke pasur këto probleme, edhe në këtë rrugë, edhe në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, ne kemi vendosur të krijojmë një komitet të veçantë të auditimit, i cili do t’i analizojë projektet në hollësi duke shikuar pozicionet një nga një. Pasi ka pozicione që janë paguar dhe s’janë realizuar fare dhe ka pozicione që në aspektin teknik ka probleme. Por sidoqoftë pjesa e trasesë së rrugës prej katër shiritave do të përfundoj këtë vjeshtë. Menjëherë pas shpronësimeve do të vijojmë me kyçje dhe me çështjen e sinjalistikës,” ka përfunduar Aliu./InLajmi/