Mos pjesëmarrja e Kosovës në Mini – Shengen-in Ballkanik apo siç është pagëzuar tashmë “Open Ballkan” shihet si dizavantazh nga ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.
Sipas tij, Kosova duhet të jetë pjesë e nismave për bashkëpunim rajonal pasi që vendi nuk duhet mbetur ishull i izoluar rajonal.
“Nisma ‘Open Ballkan’, është produkt i tri shteteve, prandaj kjo na vendos në dizavantazh pasi që zëri ynë e as interesi ynë si shtet nuk dëgjohet duke mos qenë në tavolinë. Në parim ne duhet të bëhemi pjesë e nismave për bashkëpunim rajonal sepse nuk mundemi e as nuk bën të mbetemi ishull i izoluar rajonal”, ka thënë Ymeri për Albanian Post.
“Shtrirja e zgjerimi i tregut do të duhej t’i shërbente zhvillimit të secilit shtet e shoqëri. Mirëpo është çështje tejet e rëndësishme që të kujdesemi që integrimi ynë në një zinxhir rajonal të vlerës ekonomike të sjellë përfitimet e duhura për mirëqenien tonë shoqërore e individuale, fakti se tregtojmë me të tjerët nuk është dëm ekonomik”.
Ai madje thekson se “Kosova nuk mund të ketë ekonomi të zhvilluar duke u bazuar vetëm në tregun e brendshëm” duke shtuar se “transformimi i strukturës ekonomike të Kosovës duhet bërë duke i parë e përshtatur zhvillimeve globale dhe rajonale”.
Ymeri thotë se pozicioni i Kryeministrit të Kosovës – dikur bashkëpartiaku i tij – Albin Kurti, karshi zhvillimeve të tilla nuk është i qartë.
Ai, çuditet për faktin se si Kryeministri Kurti, në njërën anë nuk e pranon integrimin në iniciativën “Open Ballkan” në anën tjetër pranon tregun e përbashkët rajonal.
“Kurti, Në njërën anë nuk e pranon Open Balkan për shkak të rrezikut që ai e sheh nga hegjemonia ekonomike e Serbisë e në anën tjetër e pranon Tregun e Përbashkët Rajonal (me Serbinë brenda) dhe propozon një avancim edhe më të madh të tij në formën e SEFTA-s (prapë me Serbinë brenda)”.
Edhe, për ish-kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, Kosova nuk duhet të refuzojë iniciativat rajonale por të formojë argumente politike për të arsyetuar vështirësitë dhe barrierat me të cilat ballafaqohet Kosova dhe komuniteti i biznesit kosovar.
“Integrimet ekonomike janë të rëndësisë strategjike dhe në këtë drejtim besoj që orientimi i Kosovës duhet të jetë mu në këtë frymë”, ka thënë Gërxhaliu.
Por, ai shton se Kosova duhet të jetë pjesëmarrëse në këto iniciativa si e barabartë me shtetet e tjera pjesëmarrëse.
Liderët shtetërorë të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë me 29 korrik të këtij viti kanë nënshkruar një paketë dokumentesh të memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunim rajonal.
Kjo është bërë në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal, që më herët ishte prezantuar si “Mini-Shengeni Ballkanik”.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes mes vendeve u zyrtarizua edhe emri i nismës i cili tashmë titullohet “Open Balkan” apo “Ballkani i hapur”.
Memorandumi i Mirëkuptimit për të lehtësuar importin, eksportin dhe lëvizjen e mallrave në Ballkanin Perëndimor ka të bëjë me thjeshtimin e formaliteteve që lidhen me importin, eksportin dhe lëvizjen e mallrave.
Si dhe bashkëpunimin e doganave dhe autoriteteve të tjera kompetente.
Memorandumi i dytë i nënshkruar në mes të tri vendeve ka të bëjë me lëvizjen e tregut të punës në rajon, lidhur me lejen e qëndrimit të përkohshëm.
Ndërsa marrëveshja e nënshkruar, e cili quhet “Bashkëpunimin për Mbrojtjen dhe Shpëtimin nga Katastrofat në Ballkanin Perëndimor”, ka të bëjë me gatishmërinë në mes të tri shteteve për ndihmë vullnetare në rast fatkeqësish.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë takimit të mbajtur në Shkup kishte deklaruar se nga janari i vitit 2023, qytetarët e shteteve nënshkruese do të lëviznin nga Beogradi për në Tiranë pa i ndalur askush.
Në anën tjetër në këtë ngjarje nuk ka marrë pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me arsyetimin se nisma e “Mini-Shengen-it” Ballkanik, është nismë pa vizion për rajonin.
“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘Mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin”, thuhej në përgjigjen e zyrës për media e Qeverisë së Kosovës.