Vijon të jetë aktiv zjarri në gadishullin e Karaburunit.
Edhe pse punonjësit e zonave të mbrojtura kanë qenë gjatë gjithë natës në terren për fiken e zjarrit dhe normalizimin e situatës, gjendja vazhdon të jetë problematike pasi në zonën mbi Kishën e Marmiroit në Orikum zjarri është aktivizuar sërish.
Kërkohet ndërhyrja me forca më të shumta, pasi është e pamundur të fiket me mjete rrethanore ky zjarr.
Sipas prefekturës së Vlorës sot ka arritur në ndihmë ushtria. Ndërkohë terreni i vështirë për të shkuar në mal e bën edhe më te vështirë fikjen e zjarrit.
Ndërkohë që punonjësit e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura (ADZM) kanë ngelur pa ujë te pijshëm dhe janë të detyruar te zbresin nga mali dhe për të zbritur duhen të paktën dy orë, përcjell A2 CNN.
Rreth orës 8:30 mësohet se kanë mbërritur 40 ushtarë nga Poshnja e Beratit dhe nga Pashalimani për të ndihmuar në fikjen e zjarrit. Situata vijon të jetë kritike.