Kanë arritur në Kosovë trupat e 10-të viktimave të aksidentit tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë.
Sjellja e trupave të viktimave është bërë me 3 vetura, nën përcjelljen e policisë.
Në vendkalimin kufitar janë parë edhe Ambasadori i Kosovës në Shqipër, Nait Hasani dhe ai i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi. Përveç tyre, viktimat kanë dalur që t’i nderojnë edhe shumë qytetarë.
Prej kompanisë që po e kryen transportin kanë deklaruar se këtë po e bëjnë vullnetarisht.
“Gjithë përgatitjet janë bërë nga kompania. Ne e kemi kry transportin vullnetarisht”, ka deklaruar një prej përfaqësuesve të kompanisë.
Varrimi i viktimave pritet të bëhet në orët e pasditës.
Ndryshe, 10-të veta me prejardhje nga Kosova humbën jetën, kur autobusi me të cilin udhëtonin – nga Frankfurti për në Prishtinë – doli nga rruga në qytetin Sllavonski Brod.
Autobusi me targa të Kosovës po transportonte 67 pasagjerë.
Shoferi u ndalua nga autoritetet kroate në vendin e ngjarjes, ndërsa të martën atij iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Të martën mbrëma, në Kosovë arritën 21 të mbijetuar të aksidentit, raporton Express.
Ata u pritën në aeroportin në Prishtinë nga udhëheqësit e shtetit të Kosovës, ndërsa më pas u shoqëruan nga familjarët e tyre.