Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Sekretarin e shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger, përcjell InLajmi.
Në këtë takim, së pari sekretari Berger i shprehu kryeministrit ngushëllime për aksidentin tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë, ku humbën jetën 10 bashkatdhetarë, të cilët po udhëtonin nga Frankfurti për në Prishtinë.
Duke iu falënderuar, kryeministri Kurti i shprehu sekretarit Berger ngushëllime për jetët e humbura në disa pjesë të Gjermanisë, si pasojë e stuhisë dhe vërshimeve shkatërruese.
Tutje, duke e ditur rëndësinë e bashkëpunimit dhe rritjen e investimeve gjermane në Kosovë, ishte temë diskutimi, me theks të veçantë te mërgata e fuqishme në Gjermani.
Sekretari Berger e përgëzoi kryeministrin Kurti për indikatorët e mirë ekonomikë të vendit, që siç tha ai, janë impresionues.
Ai tha se Gjermania do të mbështesë Procesin e Berlinit dhe tregun e përbashkët, si formë e bashkëpunimit rajonal, dalë nga Samiti i Sofjes, vitin e kaluar.
Ndryshe, në këtë takim, ndër të tjera u diskutua edhe për takimet e fundit në Bruksel dhe për ecurinë e mëtejshme dhe rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./InLajmi/