Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë detaje për procedurën e kthimit të qytetarëve të Kosovës që mbijetuan nga aksidenti tragjik në Kroaci por edhe për kthimin e viktimave të kësaj tragjedie, përcjell InLajmi.
Nëpërmjet një komunikatë është thënë se institucionet e Kosovës në koordinim me institucionet e Kroacisë, kanë organizuar kthimin e bashkëqytetarëve tanë në Kosovë, gjendja shëndetësore e të cilëve është stabile. Ata do të vijnë sonte me transport ajror, pas orës 22:00.
Po ashtu është thënë se Ministria e Punëve të Brendshme është në kontakt të vazhdueshëm me familjet e viktimave lidhur me procedurat e kthimit në Kosovë të trupave të personave që humbën jetën në aksidentin tragjik të së dielës.
Komunikata e plotë:
Qeveria e Republikës së Kosovës me të gjitha institucionet dhe kapacitetet e veta po punon maksimalisht për t’u ofruar kujdesin dhe trajtimin e duhur bashkatdhetarëve tanë të aksidentuar në Kroaci.
Qeveria do të organizojë transportin dhe përcjelljen e bashkqytetarëve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” deri te familjet, në vendbanimet e tyre.
Ministria e Punëve të Brendshme është në kontakt të vazhdueshëm me familjet e viktimave lidhur me procedurat e kthimit në Kosovë të trupave të personave që humbën jetën në aksidentin tragjik të së dielës./InLajmi/