Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), Mimoza Kusari-Lila ka thënë se vendimi për tiketën ngjitëse është marrë pa qenë ministri Liburn Aliu në Kosovë.
Kusari-Lila ka thënë se brenda Ministrisë së Infrastrukturës ka pasur 2 interpretime të ndryshme sa i përket taksës për tiketën ngjitëse.
“Njëri grup e ka mbështetur, derisa grupi tjetër e ka kundërshtuar këtë vendim”, tha ai.
Ajo thotë se brenda Grupit Parlamentar të LVV-së pothuajse kanë qenë të një mendimi se vendimi për tiketën ngjitëse duhej të tërhiqej.
“Ka qenë konsensus pothuajse i plotë në Grupin e LVV-së se kjo [taksë] duhej tërhequr. Pos faktit të pezullimit të tiketës duhet të zbardhen hapat që çuan deri te ky vendim”.
Kusari-Lila ka thënë se që nga fillimi e ka ditur që vendimi për taksën prej 5 euro ka qenë një “gabim apo nguti”.
“E vlerësoj që ka pasur një reagim nga vet ministri Liburn Aliu. E 2-ta do të zbardhen dhe të priten vendimet tjera për të parë të gjitha hapat që e kanë shtyrë zëvendësministrin Durmishi për të nënshkruar këtë marrëveshje”, tha ajo në RTV Dukagjini
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes thotë se është pozitive që marrëveshja nuk ka filluar të zbatohet.