Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një takim që kishte zhvilluar në muajin maj të këtij viti me Ambasadorin e Japonisë në Kosovë, Ogasaëara Mitsunori, kishte thënë se do të jetë i pranishëm në Lojërat Olimpike që pritet të fillojnë më 23 korrik 2021 në Tokio të Japonisë.
Por, nga Zyra e Kryeministrit sot kanë thënë se kryeministri Kurti nuk do të udhëtojë për në Tokio të Japonisë.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Rozafa Kelmendi.
“Nuk do të shkojë kryeministri në Tokio”, ka thënë shkurt Kelmendi për lajmi.net.
Republika e Kosovës do të marrë pjesë me 11 lojtarë në Lojërat Olimpike Verore që do të mbahen në Tokio prej nesër deri më 8 gusht të vitit 2021.
Ato ishin paraparë të mbahen në verën e vitit 2020, por për shkak të pandemisë ishin shtyrë për vitin 2021.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka vendosur që përkundër shtyrjes për një vit, Lojërat Olimpike të vazhdojnë të quhen “Tokio 2020”.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Tokio ku do të jetë e pranishme në Lojërat Olimpike.