Kuvendi i Kosovës është mbledhur për seancën e radhës, ku as në këtë seancë nuk kanë munguar kritikat mes deputetëve, raporton InLajmi.
Është shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ai i cili ka kritikuar nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, që sipas tij nuk po ua jep fjalën sa duhet deputetëve të tjerë, por vetëm ministrave.
Hamza i tha Bogujevcit, që e ka vendosur një praktikë, që “ministrave t’ua japë fjalën të flasin sa të duan, dhe të tjerëve jo”.
“Replikë ka 2 minuta, kur ka kundër replikë është 1 minutë”, tha Hamza në fjalën e tij.
Ndërsa, këtë e ka replikuar nënkryetarja Bogujevci duke i thënë ‘jam e vetëdijshme për pjesën e rregullores në çështjen e replikave’.
“Nuk e di ku kam gabuar por ashtu ka qenë. Në respektim të fjalës së secilit, në shumicën e rasteve ua kam mundësuar ta përfundojnë fjalën. Më vjen keq por nuk e di ku bëra shkelja në këtë rast, në dy kundër replika, nga 1 minutë për secilën”, ka thënë Bogujevci. /InLajmi/