Më në fund, Britney Spears ka siguruar fitoren e parë nga drejtësia pasi Gjykata i ka dhënë leje për të zgjedhur vetë avokatin që do e përfaqësojë gjatë seancës gjyqësore. Këngëtarja është përfaqësuar nga një avokat i caktuar nga gjykata, Sam Ingham. Gjatë seancës dëgjimore, Britney i kërkoi gjyqtares leje për të marrë ish-prokurorin Mathew Rosengart si avokatin e saj privat dhe gjykatësja ka miratuar kërkesën e saj. Mathew është një avokat i profilit të lartë dhe ka punuar për disa yje të Hollywood-it përfshirë Sean Penn dhe Steven Spielberg.
Britney tronditi botën disa javë më parë kur tregoi para gjykatës se i është nënshtruar vlerësimeve të shumta psikike, ilaçeve dhe se është traumatizuar nga i ati, Jamie. Këngëtarja deklaroi se nuk mund të mbetet shtatzënë për shkak të rregullave ligjore, që u vendosën në fuqi në 2008, sepse kujdestarët e saj nuk aprovojnë heqjen e kontrollit të lindjes. Ajo zbuloi se ka pirë litium, një ilaç që pihet për çrregullimin bipolar, kundër dëshirës së saj dhe se kjo e ka bërë të ndihet e dehur dhe të paaftë për të biseduar, shkruan New York Times.
Shumë personazhe të tjerë të njohur e kanë përkrahur publikisht këngëtaren, duke kërkuar që ajo të lirohet sa më parë nga kujdestaria e të atit, përcjell News31
Ndërkohë, pak ditë më parë menaxheri që ka udhëhequr karrierën e Britneyt për 25 vite ka lajmëruar dorëheqjen. Larry Rudolph ka thënë se “qëllimi i saj për t’u tërhequr zyrtarisht” ka nxitur edhe këtë vendim.

















