Nga zyra e Kryeministrisë, është njoftuar se ish-deputeti i PDK-së, Andin Hoti, djali i veprimtarit shqiptar, Ukshin Hoti, është emëruar në krye të delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë në çështjen e personave të zhdukur, përcjell InLajmi.
Përmes një njoftimi të zyrës për media, u tha se “obligim i yni si Qeveri që të bëjmë më të mirën e mundshme për t’ua zbutur këtë gjendje duke u angazhuar më shumë për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre”.
Po ashtu në njoftim shkruhet se çështja e personave të zhdukur është një ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës.
“Çështja e personave të zhdukur është një nga çështjet prioritare të Qeverisë së Kosovës, dhe emërimi i sotëm tregon që kjo temë shkon përtej politikës. Dhimbja dhe ankthi me të cilën familjet përballen që 23 vite, rritet çdo ditë e më shumë. Për Qeverinë e Kosovës është e rëndësishme që të kemi një front të përbashkuar karshi Serbisë, në kërkesat tona për ballafaqim me të kaluarën”, shkruhet në njoftim. /InLajmi/