Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një intervistë për EWB ka folur për Marrëveshjen e Uashingtonit të nënshkruar më 4 Shtator në SHBA, mes Kosovës e Serbisë, transmeton InLajmi.
Kurti është shprehur se nuk e mohojnë marrëveshjen e arritur në parim, mirëpo ka disa pika që janë problematike për Kushtetutën dhe duhet të bëhet kujdes me to, duke vënë fokusin te fakti që marrëveshja thotë se nuk duhet lobuar për anëtarim në organizatat ndërkombëtare.
Nga marrëveshja e arritur Kryeministri ka vlerësuar pikën e fundit të saj e cila ishte njohja e Izraelit dhe është zbatuar.
“Ne nuk duam ta mohojmë atë në parim, por në të njëjtën kohë duhet të jemi të kujdesshëm, sepse ka edhe disa pika që janë problematike për kushtetutën tonë që janë nënshkruar si një zotim nga Kryeministri i mëparshëm. Vetëm të përmendim, faktin që ne nuk do të lobojmë dhe angazhohemi për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Kjo shkon në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
Kurti në këtë intervistë ka folur edhe për mbështetjen që i ka ofruar presidentit Biden, gjatë fushatës zgjedhore në SHBA, duke përmendur faktin se Presidenti i Serbisë, ka bërë të kundërtën pasi që ka lobuar në mbështetje të ish-Presidentit Donald Trump./InLajmi/




















