Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për njohjen nga Serbia, dhe qëndrimin e Kosovës për këtë çështje, transmeton InLajmi.
Kurti në një intervistë për European Western Balkans, ka thënë se do të ishte mirë nëse Serbia njeh Kosovën, por Kosova mund të jetojë edhe pa njohjen e saj. Ai shtoi se nuk është i gatshëm të paguaj as me territor e as me funksionalitet të shtetit për njohjen e saj.
“Pra, për 13 vjet tani, ne kemi jetuar pa njohjen e Serbisë. Do të ishte mirë nëse Serbia na njeh, por unë nuk do të paguaj për atë, as me territorin e Kosovës, as me funksionalitetin e shtetit tonë. Kosova është e pavarur. 26 nga 30 vendet e NATO-s e njohën atë, 22 nga 27 vendet anëtare të BE-së njohën Kosovën. Rusia dhe Kina nuk na njohin, por SHBA-ja, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar në Këshillin e Sigurimit na njohin. Ne do të duhet të vazhdojmë tutje”, është shprehur Kurti.
Ndërkohë, kryeministri shtoi se tani është më I përqendruar në çështje të brendshme, si lufta ndaj korrupsionit, duke shtuar se nuk është duke planifikuar që ta zëvendësoj varësinë e kaluar të Kosovës nga Serbia me një varësi të re që pret njohjen nga Serbia./InLajmi/