Që nga dita e shtune e deri më sot një numër i madh i qytetarëve të Deçanit kanë kërkuar ndihëm në Qendren e Mjekësisë Familjare në Deçan, të cilët dyshohen se janë helmuar nga uji, shkruan InLajmi.
Musa Berisha drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë në komunën e Deçanit ka thënë për Gazetën InLajmi se ende nuk dihet arsyeja pse janë helmuar disa qytetarë, mirëpo ai ka treguar se gjendja vazhdon të jetë stabile dhe në kontrollë.
“Gjendja është stabile, në terren kanë shtabi emergjent i komunës, përfaqësuesit e shëndetësisë, përfaqsuesit e Hidrodrinit, dhe gjendja vazhdon të jetë në kontrollë. Të gjitha branatoret janë të hapura edhe pse është ditë e diele”, ka thënë Berisha.
Tutje drejtori i Shëndetësisë ka bërë të ditur se mostrat e ujit janë dërguar në laboratorin e QKMF-së për analizë, ndërsa nesër do të merren mostrat për analizë nga Instituti Kombëtare i Shëndetësisë Publike.
“Në laboratorin tonë në QKMF janë duke u bërë analiza e ujit, ndërsa nesër përfaqësuesit e Instituti Kombëtare të Shëndetësisë Publike do të marrin mostrat për analizë”, ka thënë për Berisha për InLajmin.
I pytetur nëse me të vërtet helmimi i qytetarëve është shkaktuar nga uji, Berisha ka thënë se ende nuk dihet nëse është helmim nga ujit apo ndonjë virus.
“Ende nuk është e qartë nese me të vërtet është helmim nga uji apo ndonjë virus tjetër. Asgjë nuk mund të flasim pa i marrë analizat nga laboratorët. Edhe nga Hidrodrini kanë bërë apel që uji të mos pihet deri nesër kur te dalin analizat. Gjithashtu edhe unë bëjë apel tek qytetarët e Deçanit që të mos e përdorin ujin deri sa të dalin analizat”, ka thënë Drejtori i Shëndetësisë Musa Berisha.
Fshatrat të cilët janë prekur nga ky helmim janë Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri.
Tutje edhe nga KRU Hidrodrini sot kanë dalë me një apel ndaj qytetarëve të Deçanit për mos perdorim të ujit.
“Pas shfaqjes së dyshimeve të para, të pavërtetuara deri më tash, KRU ‘Hidrodrini’-Njësia Operative – Deçan, në koordinim edhe me autoritetet komunale, ka marrë të gjitha masat urgjente duke hulumtuar shkaqet e mundshme. Njoftojmë se deri në këtë çast, nuk ka asnjë bazë të vërtetuar se shqetësimet në fjalë mund të kenë ardhur /ose/ mos ardhur, si pasojë e ujit. Andaj, deri në kthimin e analizës së Ujit nga ana e IKSHPK-së, ky APEL mbetet në fuqi”, thuhet në komunikatën e Hidrodrinit. Eriola Cacaj /InLajmi/