Fërkimet brenda Lëvizjes Vetëvendosje janë arsyet e vonesës së shpalljes të kandidaturave për kryetar komunash nga kjo parti, thotë analisti politik, Shemsi Jashari.
Jashari ka thënë në një prononcim për Ekonomia Online, se zvarritje ka edhe nga partitë tjera e që sipas tij, PDK-së e LDK-së kjo gjë po i ndodhë për shkak të krizës së brendshme pas zgjedhjes së lidershipit të ri.
“Shpallja e kandidaturave për kryetar komunash prej të gjitha partitë veç është duke u zvarritur pas shpalljes së datës së zgjedhjeve nga presidentja. Kur flasim për Lëvizjen Vetëvendosje është vërejt edhe para një kohe që ka shumë fërkime brenda vetë LVV-së është një interesim i madh se kush do të merr nominimin për të qenë kryetar, për faktin që LVV në zgjedhjet e fundit e ka një numër të madh të votave dhe sikur secili që mendon të i hyj kësaj gare mendon që ka edhe bukur shumë gjasa që të zgjidhet”.
“Kemi pasur raste kur në të kaluarën bastionet e PDK-së dhe LDK-së në të kaluarën në komuna të caktuara ka pasur përplasje të tilla që e kanë parë problem nominimin por jo fitoren në zgjedhje, e njëjta po i ndodhë edhe LVV-së. Është pikërisht kjo që ka shumë zëra, shumë dëshira për të kandiduar ajo që po e bën LVV-në me menaxhua këtë proces”, është shprehur ai.
Jashari gjithashtu ka thënë se Kurti, akoma nuk ka nominuar kandidat për kryetar komunash për të ruajtur unitetin e brendshëm partiak.
“Ajo që kemi parë që LVV së paku 2 herë e ka shtyre afatin për aplikim të kandidatëve të interesuar për garë për t’u nominuar brenda LVV-së, për shkak se ata kanë disa procedura të përzgjedhjes brenda strukturave të veta për të marr nominimin. E kemi edhe vet thirrjen e Kurtit në një nga takimet ku bën thirrje simpatizantëve të vet, strukturave të veta që mos të ketë përçarje, e grupacione por të presin zgjedhjen në procedurë të rregullta, por ajo që dihet është që ai kandidat që nuk e ka miratimin e vet Kurtit patjetër që as nuk do të merr mbështetje nga strukturat. Kjo është një prej arsyeve që ai po do me nominuar kandidatë por pa krijuar përçarje brenda strukturave për të ruajt unitetin brenda partiak”, ka shtuar ai.
Tutje Jashari ka thënë se lidershipi i ri i PDK-së dhe LDK-së, ka akoma nevojë për kohë që të identifikojë njerëz dhe struktura në terren me qëllim të rikuperimit të humbjeve që kanë pasur në zgjedhjet e fundit.
“Kur flasim për partitë tjera LDK e PDK i kemi disa nominime. Ata kanë probleme tjera, kanë një krizë të brendshme me ndërrim të lidershipit në këtë vit e sidomos PDK-ja tash së fundi dhe kjo bën që lidershipi i ri të ketë nevojë për kohë për të identifikua njerëz, struktura në terren me qëllim të rikuperimit të humbjeve që kanë pasur në zgjedhjet e fundit dhe paralelisht me zgjedhjet e emrave ata duan të përçojnë një mesazh të një reforme të brendshme edhe pse mënyra si janë zgjedhë Abdixhiku e Krasniqi nuk lënë shumë hapësirë për të mendua se është një proces i natyrshëm demokratik për shkak që vijnë me një proces bukur të përshpejtuar dhe pa një analizë e reformë nga poshtë-lartë, dhe kjo mendoj që i bën më të kujdesshëm që të përzgjedhin figurat të mira që do t’i bënin ballë një numri të madh votave që Lëvizja Vetëvendosje e ka por në të njëjtën kohë t’i menaxhojnë ato përçarje të grupacioneve që kanë brenda subjekteve politike”, ka thënë ai.
Analisti politik po konsideron se kandidaturat e shpallura deri më tani nga partitë politike janë të mira dhe pret që ata të ofrojnë program real.
“Mendoj që janë kandidatura të mira në shikim të parë, se sa do të jenë serioze dhe të arsyeshme mendoj që duhet të presim shpalosjen e programit pre tyre. A do të kemi një program që është më shumë populist por më pak me gjasa me u realizua, a do të jetë më shumë program për t’i pëlqyer syrit dhe veshit të elektoratit por që nuk ka mundësi me u implementua në praktikë. Mendoj që tashmë garat në nivel komunal duhet me u fokusua kah programi real, sepse një kandidatë që premton që do t’i zgjedh të gjitha problemet ai në fakt tregon që nuk është serioz”.
Ndërsa, sa i përket asaj se a priten nominime emrash të grave, Jashari ka thënë se pritet që LVV-ja të nonimojë për kryetare të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lilën.
Po ashtu, ai ka vlerësuar se nominimet e grave nuk duhet të bëhen vetëm për plotësim kuote, por ato të jenë vërtetë meritore.
“Ka gjasa që LVV-ja mund të kandidojë në Gjakovë me Mimoza Kusarin, është përfol që mund të jetë njëra prej opsioneve për shkak se edhe në të kaluarën ka udhëheq me komunën e Gjakovës dhe ka një njohuri dhe shtrirje, ndërsa sa i përket kandidaturave tjera përveç kësaj që e pamë nga LDK-ja është e paqartë. Nuk është se kemi ndonjë figurë të përfolur, por ajo që duhet të ndodhë është që të ketë më shumë mundësi për gratë që të kandidojnë por jo vetëm sa për të plotësuar kuotën, por të jenë disa figura që më të vërtetë janë të përgatitura” ka përfunduar ai.
Më poshtë gjeni kandidatë e zyrtarizuar deri tani:
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK):
Përparim Rama – Prishtinë
Gazmend Muhaxherri – Pejë
Anton Quni – Prizren
Hyrie Dobrunaj – Deçan
Ekrem Hyseni – Pudujevë
Ardian Shala – Suharekë
Imri Ahmeti – Lipjan
Burim Berisha – Fushë Kosovë
Sokol Haliti – Viti
Xhafer Tahiri – Vushtrri
Mehmet Krasniqi – Obiliq
Burim Krasniqi – Rahovec
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) :
Shaqir Totaj – Prizren
Agim Aliu – Ferizaj
Uran Ismaili – Prishtinë
Ramiz Lladrovci – Drenas
Sami Lushtaku – Skenderaj
Naim Ismajli – Shtime
Besim Ilazi – Kaçanik
Shaban Shabani – Dragash
Rrahim Ternava – Fushë Kosovë
Murtez Zekolli – Suharekë
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)
Agron Kuçi – Junik
Ardian Gjini – Gjakovë
Ali Krasniqi – Obiliq
Bali Muharremaj – Suharekë
Bashkim Ramosaj- Deçan
Bekë Berisha – Istog
Besnik Tahiri – Podujevë
Daut Haradinaj – Prishtinë
Faton Jakupi – Kamenicë
Mensut Ademi – Vushtrri
Rrustem Berisha – Pejë
Smajl Latifi – Rahovec
Zenun Elezaj – Klinë