Malta do të bëhet vendi i parë në Evropë që do të mbyllë kufijtë për këdo që nuk është i vaksinuar plotësisht ndaj koronavirusit.
Vendimi është marrë pas rritjes së rasteve me koronavirus.
Vetëm qytetarët që kanë certifikatë vaksinimi britanike apo evropiane do të lejohen që të futen në vend, duke nisur nga 14 korriku, bëri të ditur ministri i shëndetësisë Chris Fearne, duke lënë të kuptohet se turistët amerikanë dhe të tjerët do të ndalohen.
“Ne do të jemi vendi i parë në Evropë që do të ndërmarrë këtë hap,” tha ai.
Malta është vlerësuar si një histori suksesi evropiane për fushatën e saj të vaksinimit, me 79% të popullatës së rritur aktualisht të vaksinuar plotësisht, përcjell abcneës.al
Më parë, Maltën mund ta vizitonin edhe turistë nga pjesa tjetër e BE-së, SHBA-së dhe vendet e tjera që ishin të pajisur me një test negativ PCR ose që ishin të vaksinuar plotësisht.