Dhurata Hoxha, ish-ministre e Integrimeve Europiane ka folur për aktakuzën e ngritur ndaj saj dhe 5 zyrtarëve të tjerë shtetërorë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Prokuroria Speciale e Kosovës sipas Hoxhës nuk i ka dërguar aktakuzën derisa ajo shprehet e pafajshme.
“Jo, nuk e kam pranuar aktakuzën. Ditën kur ishte ngritur aktakuza unë u njoftova nga mediat. Pra asnjë njoftim zyrtar nuk e kam pranuar nga Prokuroria Speciale.
Më pastaj, Prokuroria një ditë pas ka thirr avokatin tim dhe i ka thënë se mundeni me marrë dosjen por aktakuza nuk na është dhënë, as mua e as avokatit tim”, tha Hoxha.
“Sa i përket aktakuzës dhe asaj që kam lexuar mendoj se nuk janë përmbushur as elementet minimale të kriterit të dyshimit të bazuar për ngritje të aktakuzës as për mua por as për kolegët e tjerë me të cilët jemi bashkë në këtë aktakuzë”. Të gjithë jemi të pafajshëm dhe deri në përpikmëri e kemi respektuar ligjin e Prokurimit Publik’, shtoi ajo, për RTV21.
Ndryshe, kjo aktakuzë dyshohet se është ngritur për shkak të kontratës “Shërbimet të Konsulencës Ndërkombëtare për nevojat e Ministrisë së Integrimit për vitet 2015, 2016, 2018”.