Pas marrjes së vaksinës nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla do të vaksinohet sot kundër koronavirusit, përcjell InLajmi.
Sveçla ka njoftuar se ai do të vaksinohet në orë 16:00 dhe ka ftuar të gjithë qytetarët të aplikojnë për vaksinim kundër virusit, duke shtuar se kjo gjë do të përshpejtojë normalizimin e jetës sonë.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Duke ndjekur udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe aplikacionit e-Kosova, kam aplikuar dhe kam caktuar terminin për tu vaksinuar.
Sot në ora 16:00 do të jem në Sallën 1 Tetori për të marrë dozën e parë të vaksinës të llojit AstraZeneca, e aprovuar nga OBSH.
Ftoj të gjithë qytetarët që plotësojnë kriteret e vendosura nga MSh, të aplikojnë dhe të vaksinohen pasi kjo do të përshpejtojë normalizimin e jetës sonë./InLajmi/