Kauza e aktivizmit të saj, filloi para se ajo të lindte. Kur Vjollca ishte 2-muajshe shtatzënë, bashkëshorti i saj Gëzim Deva dhe vëllai Albion Kumnova, u rrëmbyen nga forcat serbe në Gjakovë, përcjell InLajmi.
E rritur mes thirrjeve për të vërtetën dhe drejtësinë, me gjyshen Nesrete Kumnova, drejtuese e organizatës, “Thirrjet e Nënave”, Bleona Deva me vite kërkoi të vërtetën për babin, dajën dhe qindra persona të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Bleona ishte 5-vjeçare kur së pari takoi kryeministrin Kurti, në protestat për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.
Së bashku me gjyshen Nesreten dhe nënën Vjollcën, ajo sot ritakoi Kryeministrin Kurti, për t’i uruar pozitën e re.
Gjatë këtij takimi miqësor, u diskutua për betejën e përbashkët dhe prioritetin e qeverisë, për ndriçimin e rasteve të personave të zhdukur, në respektim të së drejtës së familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e tyre, si një parakusht për sigurimin e drejtësisë.
Kryeministri Kurti rikonfirmoi përkrahjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për “Thirrjet e Nënave”, në misionin për zbardhjen e plotë të fatit të personave të zhdukur dhe përmbushjes së drejtësisë për krimet e kryera gjatë luftës./InLajmi/