Viktima e dhunës seksuale që kishte autor serbin Zoran Vukotiq ka folur së fundmi në detaje.
Ajo ka rrëfyer të gjithë ngjarjen që nga momenti kur e kanë ndarë nga familjarët e deri në momentin kur u dhunua.
“Në orët e hershme të mëngjesit në Vushtrri ka ndodh një ngjarje që e din gjithë bota. Neve na qitën të gjithëve nga shtëpitë ku ishim. Na qitën në një vend të fushat e varrezave në Vushtrri, thuhet se ishin 22.000 vetë. Po atë ditë ka ndodh edhe krimi.Na mbajtën aty një kohë, djemtë dhe burrat i ndajtën, i ngarkuan nëpër kamiona dhe i shpërndanë. Mas asaj kohe na drejtuan në një lokal, ku aty na identifikojshin me kartona. Unë kur kam hyrë me marrë atë karton, aty edhe dhunuesi më murr dhe më çoi në një vend tjetër. Me burrin jam nda qysh më herët. Edhe s’jam bashku deri mas përfundimit të luftës. Vetëm ky ka marr pjesë në dhunim, por ka qenë edhe një bashkëpunëtor tjetër që ka qenë në dhomë”, tha viktima.
Ajo thotë se bashkëshorti gjithmonë e ka përkrahur atë.
“Përkundrazi kanë qenë lidhjet më të forta me bashkëshortin, gjithmonë ka qenë krahu im “, shtoi ajo.
Ajo thotë se nuk është e kënaqur me dënimin që ka marrë Zoran Vukotiq, tha ajo në Pressing të T7.
“Është një lehtësim se kom kërku drejtësi 21 vjet për me ardh deri ktu, nuk jom e knaqne, mirëpo është me rëndësi që së paku ta sheh gjithë bota se kush është autor i krimit. Kam prit që dënimi të jetë më i madh”, thotë viktima, që atëkohë ishte 28-vjeçare.