Deputetja Blerta-Deliu Kodra, ka reaguar pas shkarkimit të Bordit të RTK-së, ditën e sotme, përcjell InLajmi.
Ajo ka shkruar se vendimi i marrë ndaj Bordit në seancën e sotme, do të mbetet si një njollë e pashlyeshme në historinë e një republike parlamentare.
Deputetja ka thënë se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani me partitë e tyre po sillen si të ishin në një shtet diktatorial dhe po duan ta mbyllin gojën e çdo gazetari.
Postimi i saj:
Partia e Albin Kurtit, Vetëvendosja, luftën që e ka nisur prej vitesh kundër RTK-së, po e vazhdon duke shkarkuar një bord. Nuk po shkarkohet një bord i një ndërmarrje publike, por bordi i një mediumi.
Këtë shembull nuk do ta gjeni në asnjë shtet demokratik. Ky është një lajm i rëndë për një shtet që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Ky vendim i Kuvendit do të mbetet njollë e pashlyeshme në historinë e një republike parlamentare.
Ajo çfarë po ndodh në Kuvendin e Kosovës mund të duket si në Bjellorusinë e diktatorit Aleksandër Lukashenko. Para dy muajsh, shteti i Lukashenkos, e ka devijuar rrugën e një aeroplani, me qëllimin e vetëm që ta rrëmbejë një gazetar. Ia ka arritur.
Sot, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani me partitë e tyre po sillen si të ishin në një shtet diktatorial. Po duan ta mbyllin gojën e çdo gazetari.
Dje kur e morën qeverinë e dërguan policinë në zyret e një mediumi vetëm për shkak të një artikulli të vërtetë se Ministri i Shëndetësisë nuk kishte nënshkruar kontratën për sigurimin e vaksinave anti-COVID-19, sot e shkarkuan bordin e një mediumi, e nesër kushedi se çka janë në gjendje të bëjnë./InLajmi/