Italia kërkon gjysmëfinalet e Europianit por në rrugën për në “Final Four” të Londrës ekziston pengesa për t’u kapërcyer, Belgjika. Ekip që dominoi në grupin, para se të sundonte CR7 dhe Portugalinë. Roberto Mancini duhet të bëjë 2 ndryshime në krahasim me formacionin anti-Austri. Në sulm nuk do të jetë Berardi, por Federico Chiesa do të kompletojë treshen sulmuese me Insigne dhe Immobile.
“Ne do të bëjmë lojën tonë. Kemi respekt për ta sepse e dimë se cilët janë. Në këtë nivel nuk ka asgjë të thjeshtë. Do ecim hap pas hapi duke shpresuar që do të luajmë edhe ndeshjen e ardhshme”, tha Mancini.
Nga ana tjetër “Djajtë e Kuq” të Europës nuk janë në formën më të mirë me mungesat e De Bruyne dhe Eden Hazard. Të 2 janë në fazë rikuperimi dhe vetëm mjekët e skuadrës do të japin verdiktin nëse do të jenë të aftë për lojë ose jo. Megjithatë Roberto Martinez duket se e ka gati skuadrën për këtë përballje.
“Është për të ardhur keq që dy ekipe të tilla përballen kaq herët, por kjo ka të bëjë me nivelin e lartë të këtij kompeticioni. Nuk ka shumë sekrete, ekipet luajnë me shumë sinkronizim. Ndeshja do të vendoset nga detaje shumë të vogla”, tha Martinez.
Ndeshja do të nisë në orën 21:00 në Allianz Arena të Mynihut. Më herët Zvicra si surpriza që eliminoi Francën kampione botë do të përballet me një tjetër ekip me histori të madhe. Ndaj Spanjës do të jetë gjithçka për gjithçka. Në mungesë të Granit Xhakës për shkak kartonësh, shiritin e kapitenit do ta marrë Xherdan Shaqiri, shkruan tvklan.al
“Jam shumë krenar që drejtoj skuadrën në këtë ndeshje. Jam përgatitur si normalisht. Do të jap maksimumin. Tek unë nuk do të ndryshojë asgjë shiriti i kapitenit pasi kjo është ndeshje e rëndësishme”, tha Shaqiri.
Zvicër-Spanjë do të luhet në Shën Petërburg në Rusi.