Lirim Krasniqi nga organizata Germin ka dorëzuar tek Avokati i Popullit ankesën për shkeljen e të drejtës së votës për qytetarët që jetojnë jashtë vendit gjatë zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, raporton InLajmi.
Krasniqi ka thënë se presin nga Avokati i Popullit që të sqarohen vendimet e KQZ-së në lidhje me këtë çështje.
“Ne si organizatë e kemi përcjellë me shumë vëmendje votimin e diasporës dhe kemi vëzhguar gjithë procesin duke filluar nga vendimet e KQZ dhe konsiderojmë se në gjithë punën ka pasur disa shkelje të cilat cenojnë të drejtën e votës për qytetarët jashtë vendit gjë për të cilën kemi hapur fushatë për gjithë qytetarëve të cilëve u është mohuar e drejta e votës në çfarëdo lloj forme”.
“Presim një opinion s ai përket disa çështjeve duke filluar nga KQZ për telefonimin e votuesve jashtë vendit e deri të vendimet e PZAP poashtu edhe çështjen e vonesave në ardhjen e zarfeve, presim nga Avokati i Popullit të sqarojë vendime për qytetarët që kanë votuar jashtë vendit”.
Gjatë këtij aktiviteti i pranishëm ishte edhe avokati Tauland Hoda ku ka thënë se është duke bërë përpjekje për t’i ndihmuar diasporës të shfrytzojë të drejtën e tyre për votë, gjithashtu ka paralajmëruar se do t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese.
“Ne sot kemi dorëzuar ankesa te avokati i popullit ku kërkojmë që të konstatojë që ka pasur vështirësi të qytetarëve të diasporës në votim. E dimë që ka pasur edhe vendime të PZAP”.
“Po besoj që Avokati i Popullit do të mirëkuptojë këtë kërkese dhe të shqyrtojë e të japë konstatim apo Parlamenti të ndryshojë Ligjin në tersi dhe nëse jo atëherë është Gjykata Kushtetuese që do t’i drejtohemi për të ndryshuar Ligjin për zgjedhje dhe për të dhënë sqarim për qytetarët që jetojnë jashtë vendit sepse e kanë të drejtën për të votuar si qytetarët në Kosovë”. /InLajmi/