Vendimi për njohje reciproke të policave TPL plus me Malin e Zi si dhe vendimi për kompensimin e policave për automjetet dhe motoçikletat e bashkatdhetarëve nga ana e Qeverisë së Kosovës do të hyjnë në fuqi sonte në mesnatë, përcjell InLajmi.
Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku së bashku me Ragip Bunjakun, u.d drejtor i Policisë kufitare, por edhe me zyrtarë tjerë të Policisë së Kosovës kanë vizituar piken kufitare në Merdare, për të parë nga afër parapërgatitjet e fundit për fillimin e implementimit të vendimit të Qeverisë për mbulim të policave për automjetet dhe motoçikletat e bashkatdhetarëve të cilët do të vijnë në Kosovë për të kaluar pushimet verore.
Drejtori Mazreku ka thënë se 2 vendimet janë shumë të rëndësishme si për lehtësim të qarkullimit, por do të kenë impakt edhe në aspekt financiar, pasi që sipas tij qytetaret e Kosovës për të kaluar në Mal të Zi mund ta shfrytëzojnë vetëm policën TPL plus e cila vlen edhe për Maqedoni dhe Serbi, deri sa për bashkatdhetarët të cilët hyjnë nga mesnata në vendin tonë, Qeveria e Kosovës do të mbuloj policën./InLajmi/