Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, po qëndron sot për vizitë zyrtare në Belgjikë, ku do të takohet me zyrtarë të lartë shtetëror, përcjell InLajmi.
Ajo u prit në takim nga zëvendëskryeministrja njëherësh ministre për Punët e Jashtme, Çështje Evropiane dhe Tregti të Jashtme, dhe Institucionet Federale të Kulturës, Sophie Wilmès.
Me homologen e saj patën një takim të shkëlqyeshëm, duke u fokusuar në tema të bashkëpunimit bilateral dhe zhvillimet aktuale politike.
Në fillim të takimit, ministrja Gërvalla ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës për një Kosovë demokratike, të qëndrueshme ekonomikisht dhe me perspektivë evropiane.
Gjatë diskutimit për ecurinë e marrëveshjeve aktuale mes të 2-ja vendeve, u theksua nevoja për të shtyrë përpara bashkëpunimin edhe nëpërmjet marrëveshjeve të radhës që lidhen me eliminimin e taksave të dyfishta si dhe me bashkëpunimin në fushën e sigurisë.
Palët janë dakorduar për vazhdimin e konsultimeve politike në mes të ministrive të jashtme të të 2-ja vendeve gjatë këtij viti.
Tutje kanë diskutuar për situatën politike në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimin rajonal si dhe bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Rruga e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, gjithashtu ishte pjesë e kësaj bisede. Ministrja Gërvalla e njoftoi homologen e saj me synimet dhe veprimet e Qeverisë së re në këtë drejtim, e posaçërisht fokusin në forcim të sundimit të ligjit, si një prej vlera më fundamentale të BE-së. Ajo theksoi nevojën për përmbyllje sa më të shpejt të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Nga ana tjetër ministrja Wilmès, ka ritheksuar qëndrimin mbështetës të Belgjikës për rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE, duke përfshirë procesin e liberalizimit të vizave.
Po ashtu, menaxhimi i situatës me pandeminë Covid-19 ishte temë e diskutimit./InLajmi/