Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërruar jetë e këmbësorja e cilia u godit nga një veturë me 14 Qershor në Stagovë të Kaçanikut, përcjell InLajmi.
Sipas Policisë e ndjera në këtë rast ishte dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik nga vetë drejtuesi i automjetit ku pas ndimës së parë ajo u dërgua për në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës ku po trajtohej në repartin intenziv.
Me vendim të Prokurorit trupi i saj u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë dhe rasti është në procedurë të mëtejme hetimore.
Njoftimi i Policisë së Kosovës:
Aksident komunikacioni me fatalitet
Me datën 14:06.2021 rreth orës 20:07 në fshatin Stagovë të Kaçanikut , ka ndodhur një aksident komunikacioni rrugor, e përfshirë një automjet civil i udhëtarëve, i drejtuar nga L.D (M/K/SH) 51 vjeçar dhe një këmbësor , S.M (F/K/SH) 5 vjeçare. Drejtuesi i automjetit është zyrtar policor, në momentin e aksidentit , ai ishte jashtë detyre.
Deri te aksidenti i komunikacionit, dyshohet të ketë ardhur, kur automjeti i udhëtarëve Golf me targa vendore, po qarkullonte nga drejtimi i lagjës ‘’Dashi’’ në drejtim të magjsitrales, në rrugën ‘’Ekrem Gudaqi ‘’ të fshatit Stagovë, ndërsa këmbësorja, ishte duke lëvizur prej anës së djathtë për të kaluar në anën e majtë të kësaj rruge, ku në atë moment, me pjesën e përparme, goditet nga automjeti Golf, ku i shkakton lëndime të rënda trupore. Drejtuesi i automjetit, këmbësoren e lënduar e dërgon në Qendrën e Mjekësisë Familjare të Kaçanikut. Pasi merr ndihmën e parë mjekësore aty, e njëjta dërgohet për tretman të mëtutjeshëm mjekësor, në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës.
Sot, me datën 29.06.2021, në ora 05:37, jemi njoftuar nga Qendra Klinike Universitare e Prishtinës, se këmbësorja S,M e cila ishte duke u trajtuar në repartin intenziv, si pasojë e lëndimeve të rënda trupore në këtë aksident , e njëjta ka ndërruar jetë .
Në ditën e aksidentit, mënjëhërë është njoftuar Inspektorati i Policisë së Kosovës, i cili ka rekomanduar për suspendim e përkohshëm të policit të involvuar në këtë aksident, ndërkaq me vendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, i njëjti ishte ndaluar në mbajtje për 48 orë, për të kaluar në procedurë të rregullt pastaj.
Sot, me vendim të Prokurorit të rastit, trupi e pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Rasti është në procedurë të mëtejme hetimore. /InLajmi/