Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, në një prononcim për Ekonomia Online, e ka quajtur propagandë të Qeverisë vaksinimin masiv, pasi sipas tij një gjë e tillë nuk është duke ndodhur.
Tutje Haxhiu theksoi se ka mungesë të furnizimit me insulinë, gjë të cilën ai thotë se Ministria e Shëndetësisë nuk ka pasur gatishmëri ta përshpejtojë si proces, dhe kjo ka detyruar qytetarët që të shkojnë në Shqipëri dhe Maqedoni për furnizim.
“Ka keq menaxhim, ka mos informim, një proces i vaksinimit shumë i ngadalshëm i cili po dështon. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë të angazhuara 251 ekipe. Në vizitën që kemi pasur në sallën ‘1 Tetori’ kemi parë më shumë personel shëndetësor të angazhuar sesa që ka vaksina”
Haxhiu kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të sjell në Kuvend Ligjin për shëndetësi, atë të fondeve të sigurimeve shëndetësore dhe për transplantimin e organeve.
Nëse kjo nuk ndodhë, ai tha se do të marrin si opozitë iniciativat ligjore që të iniciojnë këto ligje.
“Ministria e Shëndetësisë ka sjellë të gjitha ligjet për plotësim ndryshim që e prekin sektorin e shëndetësisë por nuk i ka sjellë disa prej ligjeve që mendoj se janë në interes të përmirësimit të gjendjes në shëndetësi. Nëse ata nuk veprojnë mendoj që një prej ligjeve të rëndësishme që kish me ndihmua këtë proces sigurisht që është Ligji për shëndetësi dhe Ligji për fondet e sigurimeve shëndetësore dhe gjithsesi edhe Ligji për transplantimin e organeve sepse Kosova humb shumë mjete jashtë vendit për shkak të mungesës së këtij ligji sepse një numër i madh i qytetarëve tanë janë në dializë dhe do të duhej që ky ligj të procedohej. Nëse Ministria e Shëndetësisë nuk e procedon këtë ligj atëherë do të marrim iniciativat ligjore si deputet që të iniciojmë një ligj të tillë. Ne po shohim që nuk ka transparencë.
Ai tha se Ministri prej fillimit të punës së tij vetëm një herë ka ardhur në raportim në Komision Parlamentar për Shëndetësi.