Republika Çeke, është goditur nga një tornado duke lënë pas shumë viktima dhe mbi 200 të plagosur deri tani, transmeton InLajmi.

Stuhia e së enjtes ka ngritur çatitë e një numër ndërtesash në zonat jugore Breclav dhe Hodonin, duke shkulur pemë dhe duke përmbysur makina.

Nga video të publikuara nga dëshmitarët, vendet më të goditura dukeshin si një zonë lufte.
Ekipet e shpëtimit nga i gjithë vendi dhe gjithashtu nga Austria dhe Sllovakia fqinje janë vënë në ndihmë të njerëzve.
Sipas mediave lokale gjysma e fshatit Hrusky është shkatërruar nga uragani.
Tornado gjithashtu ka shkaktuar probleme të rënda trafiku dhe ndërprerje të energjisë, duke bllokuar autostrada të tëra, e duke lënë më shumë se 100.000 shtëpi pa energji elektrike brenda natës.
Ministri i Brendshëm çek Jan Hamacek e përshkroi situatën si shumë të rëndë, duke thënë se të gjitha njësitë e shpëtimit në dispozicion po dërgoheshin në vendngjarje.
Ministri, i cili ka mbërritur në rajonin e goditur nga katastrofa, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në vend./InLajmi/




















