Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ushtruesen e detyrës së Kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, pritën në takim Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Fondacionin për Liri Friedrich Naumann, Michael Roick, përcjell InLajmi.
Kryeministri Kurti pranoi urimet e Roick për mandatin e fuqishëm nga qytetarët dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës. Teksa e falënderoi për vizitën, ai e njoftoi Roick për menaxhimin e mirë të pandemisë, si një prej 2 prioriteteve kryesore të qeverisë, si dhe për hapat e parë drejt reformave të domosdoshme në vendin tonë, me theks të veçantë në sistemin e drejtësisë dhe planet e qeverisë për ringjalljen e ndërmarrjeve publike.
Kurse, Kusari foli për punën e Kuvendit, reformat strukturore në agjencitë e pavarura, të cilat monitorohen nga Kuvendi, si dhe qëllimin e përbashkët për rikthimin dhe ruajtjen e besimit të qytetarëve në institucione publike.
Falë gatishmërisë së të 2 palëve për bashkëpunim, në takim u diskutua edhe për fushat e përbashkëta të interesit dhe format për avancimin e tyre
Fondacioni Friedrich Naumann, i afërt me Partinë e Lirë Demokratike të Gjermanisë (FDP), është një nga shtatë fondacionet e afërta me partitë politike në nivel federal të Gjermanisë. /InLajmi/