Drejtoresha në Qendrën për Transfuzion të Gjakut, Bukurie Zhubi, tha se pas rënies së numrit të të infektuarve me koronavirus, ka rënë edhe interesimi për plazmën e gjakut.
Plazma e gjakut, ka sqaruar ajo se ka ndikim si terapi mbështetëse te të sëmurët me koronavirus. Ajo ka sqaruar se kjo metodë e trajtimit përmes plazmës është aplikuar në vazhdimësi për shumë sëmundje brenda Klinikës Infektive të QKUK-së.
“Interesimi për plazmën kovalesente ende është prezent. Kemi grumbulluar një sasi të konsiderueshme”.
“Përdorimi i tyre ka qenë shumë aktual në fazën kur kishim sëmundjen e koronavirusit. Tani me rënien e numrit të rasteve, ka edhe rënie të përdorimit të plazmës kovalesente”.
“Për efikasitetin e plazmës kovalesente raportimet tregojnë që ka ndikim si terapi mbështetëse në të sëmurët me Covid-19”, shtoi ajo, në një intervistë për Ekonomia Online
Ky lloj trajtimi bëhet duke marrë plazmën e gjakut nga pacientët e shëruar nga koronavirusi, pasi që gjaku i tyre ka antitrupa që luftojnë virusi.
Transfuzioni i antitrupave krijon atë që njihet si “imuniteti pasiv” te të prekurit me koronavirus.
Institucionet shëndetësore, përmes një udhëzuesi kanë filluar trajtimin e pacientëve të infektuar me koronavirus me plazmën konvalescente, si terapi mbështetëse gjatë muajit Shkurt.