Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Berta Deliu-Kodra, ka thënë që Kryeministri Kurti shpalli armiqësore Shtëpinë e Bardhë duke kontestuar vlefshmërinë juridike të marrëveshjes dhe legjitimitetin e nënshkrimit të Presidentit të SHBA-së, përcjell InLajmi.
Deliu tha që në atë Shtëpi të Bardhë pa kaluar nëpërmjet Këshillit të Sigurimit, presidenti amerikan i kohës mori vendimin historik për të shporrur forcat gjenocidale të Serbisë dhe për të ndihmuar luftën e nisur të saj.
Postimi i plotë i saj:
Kryeministri Kurti shpalli armiqësore Shtëpinë e Bardhë duke kontestuar vlefshmërinë juridike të marrëveshjes dhe legjitimitetin e nënshkrimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Siç na kujtohet, ish-Kryeministri izraelit, pa qenë fare i pranishëm në takim dhe i përfshirë në negociata, por vetëm nëpërmjet një komunikimi me telefon me Presidentin amerikan konfirmoi vullnetin e Presidentit të SHBA-ve duke respektuar marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë dhe duken e zbatuar atë me njohjen e shtetit të Kosovës.
Kujtojmë, po ashtu, se po në atë Shtëpi të Bardhë, pa kaluar nëpërmjet Këshillit të Sigurimit, Presidenti amerikan i kohës mori vendimin historik për të shporrur forcat gjenocidale të Serbisë dhe ndihmuar luftën e nisur të popullit të Kosovës për çlirim.

Përpjekjet për të armiqësuar marrëdhënien e Kosovës me SHBA-të, duke trilluar “thika mbi harta” dhe zhvlerësuar legjitimitetin e Shtëpisë së Bardhë për të ndërmjetësuar marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë janë veprime të rrezikshme që kërkojnë reagimin mbarë shoqëror.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë e vetmja garanci, të cilës populli i Kosovës i beson! /InLajmi/