Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, ka thënë se ky sektor është njëri nga më të goditurit në Kosovë si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
Ai ka deklaruar se rreth 17.000 punëtorë të kësaj fushe e kanë humbur punën që nga mbyllja e parë e vendit si shkak i koronavirusit.
“Në kohën e sezonës së verës kur është numri i personave që e kanë humbur punën shkon dikur rreth 30.000. Nëse e llogarisim me përqindje, 70 % ishim të prekur, kështu numri i punëtorëve të papunë shkon në 50 deri 60%. Prandaj, fati e ka dashtë që kemi filluar ta marrim veten me masat e reja që janë vendosur”, tha ai në Shtatë Ditë me Panxhën.
“Afër një miliard kemi humbje në këtë sektor, nuk them që ATK-ja po humb, unë them në qarkullim e kemi këtë shifër të humbjes. Këtu lidhen të gjitha, janë të degëzuara, ushqimi, shërbimet, pijet, qytetarët në sallone, etj. Krejt kjo veprimtari afër një miliard euro ka humbje, ato janë pare, aty derdhen pare”, ka thënë Sogojeva, përcjell KlanKosova.
Tutje Sogojeva ka thënë se edhe turzimi në Kosovë është goditur sikurse sferat të tjera.