Lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-un ka thënë se vendi i tij duhet të përgatitet për 2 gjëra me rëndësi, e para për “dialogun dhe konfrontimin” me SHBA, dhe e 2-ta, “veçanërisht përgatitje për konfrontim”, transmeton InLajmi.
Kjo është e para herë që Kim Jong-un komenton drejtpërdrejt për administratën e Presidentit Joe Biden.
Koreja e Veriut më parë kishte injoruar përpjekjet e qeverisë së re të SHBA-së, për të vendosur komunikimin diplomatik mes 2 vendeve.
Kujtojmë se SHBA ka bërë thirrje që Koreja e Veriut të heqë dorë nga armët e saj bërthamore, gjë që është refuzuar në mënyrë të vazhdueshme dhe ka bërë që Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vendosë sanksione të rrepta ekonomike për shtetin e Azisë Lindore.
Kim në një deklaratë për mediat shtetërore ka thënë po ashtu se Koreja e Veriut do të reagojë ashpër dhe menjëherë ndaj çdo zhvillimi dhe përpjekje për marrjen e kontrollit të situatës në gadishullin Kore.
Komentet e tij të fundit vijnë disa ditë pasi ai zyrtarisht pranoi se Koreja e Veriut po përballej me shqetësime për mungesat e ushqimit, shkruan BBC.
Më parë këtë javë udhëheqësit nga kombet e G7, duke përfshirë Presidentin amerikan Biden, i bëri thirrje Koresë së Veriut të braktisë programin e saj bërthamor dhe raketor dhe të rifillojë dialogun./InLajmi/