Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qasjen në dialogun me Serbinë. E quan primitiv derisa e fton në parlament për të përgatitur dokumentet e duhura për bisedat me Aleksandar Vuçiq.
“Unë i bëj thirrje Kurtit që të vjen në parlament të përgatisim ne një dokument të asaj se çka pret Kosova në dialog. Që fillon me pikën 3 të tij ose me pikën 10 të marrëveshjes së Uashingtonit e mbetur, e theksuar në letrën e presidentit Biden”, tha ai.
“Pastaj nënpikat. Jo të jetë në një dokument horizontal e 3-ta në radhë çështja e njohjes reciproke”, shtoi ai.
“Qasja ka qenë e gabuar dhe folklori…, pastaj kur del në deklarime është shumë primitiv. Nuk është Kosova aq e padijshme aq pa njerëz sa mos me ditë me kuptu që ti je ka i jep kohë procesit të dialogut, je ka i jep kohë Serbisë e vetës me negocu gjëra pa rëndësi”, theksoi Haradinaj.
“I ka dhënë shumë kohë negocimit të një CEFTA të një marrëveshje mos me sulmu njëri-tjetrin kur dihet se ne jemi përgjegjësi e NATO-së që s’guxon me na sulmu Serbia edhe për mos me të sulmu Serbia t’i kërkon njohjen sepse duke marrë njohjen hyn më shpejt në NATO. Ndërsa duke u vonu, duke mos e marrë njohjen edhe nëse merr një marrëveshje mos me të sulmu Serbia na nuk bëhemi shpejt anëtar i NATO-s edhe kësisoj rreziku me të sulmu Serbia çdo herë është potencial”, tha Haradinaj në RTV21.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq shprehën qëndrime të kundërta në raundin e ri të dialogut që filloi në Bruksel. Në takim e tyre të parë në këtë proces, Kurti tha se i ka disa propozime që çojnë përpara dialogun, ndërkohë që presidenti serb, Vuçiq, tha se delegacioni kosovar kishte shkuar që të mos pajtoheshin për asgjë.

















