Një debat fort i ashpër, që duket se mund të përfundonte me rrahje, ka ndodhur dje mes kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe 2 asamblistëve të Vetëvendosjes, Besnik Mujeci dhe Egzon Azemi.
Egzon Azemi e ka sqaruar se çfarë ka ndodhur në mbledhjen e djeshme të Kuvendit Komunal dhe pse erdhi deri te ky debat me tone të ashpra.
“Askush nuk ishte diskutuar me të. Unë e mora fjalën dhe i përmenda me emra disa aksionarë të Ndërmarrjes Publike Banesore që të kërkoj sqarime rreth një projekt për të cilin kemi marrë informacione të ndryshme dhe e kemi parë një vendim që për dy ditë e kanë hapur një thirrje për bashkëfinancues në një projekt për ndërtimin e banesave në pronën e kësaj ndërmarrje që realisht është pronë e komunës. Debati u zhvillua mes neve dhe asambleistëve të LDK-së dhe PDK-së ku ne e shpërfaqëm bashkëpunimin që po e bëjnë asambleistët e këtyre dy partive tash e sa kohë ku kumbara e këtyre koalicioneve është Shpend Ahmeti”.
“Ne nuk ishim duke bërë asnjë kritikë ndaj Shpend Ahmetit në atë moment, kur ai e mori fjalën dhe filloi me shpifje, ofendime dhe fyerje që përfundoi edhe me kërcënime ndaj Besnik Mujecit të cilin e ftoi që t’i qërojnë hesapet jashtë. Intonacioni dhe mënyra e shprehjes e nënkuptonte që po kërkon përleshje fizike, por me aq sa e njoh Shpend Ahmetin nuk besoj që ka dashur të përfundojë ashtu. I ka disa reagime të mllefosura e shumë inat ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. Duhet ta kalojë atë që ka ndodhur, sepse ka qenë zgjedhja e tyre dalja nga Vetëvendosja. Nuk mund që për vite të tëra të vetë-shitet viktimë e këtij rasti”.
Por, ai u shpreh i bindur se kjo përplasje verbale nuk mund të eskalonte deri në përleshje fizike.
Si e sheh asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje mandatin e dytë të Shpend Ahmetit në krye të Prishtinës?
“Mbase fillimi i pandemisë ka qenë periudhë pozitive kur tamam ka qenë në rolin e kryetarit të komunës. Kjo ka qenë periudha më e mirë e tij gjatë katërvjeçarit, derisa për pjesën tjetër e kemi parë të gjithë që është jashtëzakonisht joprofesionale dhe dëmet janë të ndryshme – që nga uzurpimet e pronës publike, mosmbajtja e asnjë premtimi madhor dhe dështime të shumta”.
Azemi ka thënë “jo buka, po kulaçi” kur e ka krahasuar qeverisjen e Shpend Ahmetit dhe Isa Mustafës.
“Shpend Ahmeti e ka ngritur sadopak nivelin, sepse ku qeveris Vetëvendosja është ngritur niveli. Në këtë drejtim besoj që ka qenë sado pak e mirë. Për këtë katërvjeçarin që është pa Vetëvendosjen qytetarët e kanë vlerësuar dhe e kanë parë një ndryshim të jashtëzakonshëm që ka ndodhur. Ka tash e katër vjet që në Prishtinë nuk është kryetar vetëm Shpend Ahmeti, aty ka subjekte të ndryshme që menaxhojnë dhe qeverisin me sektorë të ndryshëm ku edhe ku nuk pyetet fare”, u shpreh ai për klankosova.tv
Asambleisti i Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka lënë të nënkuptohet se Arben Vitia do të jetë kandidati i kësaj partie për kryeqytetin.




















