Sulmuesi i Danimarkës, Martin Braithwaite ka kritikuar organin drejtues të futbollit evropian UEFA, për vazhdimin e ndeshjes kundër Finlandës pas atakut kardiak që pësoi Christian Eriksen, transmeton InLajmi.
Kujtojmë se fillimisht, ndeshja ishte pezulluar ndërkohë që stafi mjekësor po bënte përpjekje për Eriksen, por më pas u njoftua se ndeshja do të rifillonte.
UEFA në deklaratë tha se lojtarët kishin kërkuar që të vazhdohej loja, mirëpo sulmuesi Braithwaite tha se realisht lojtarët nuk ishin të përgatitur për të vazhdur.
“Ne kishim dy zgjedhje nga UEFA, për të dalë dhe për të luajtur ndeshjen menjëherë ose për të luajtur të nesërmen në mesditë,” tha sulmuesi, gjatë një konference shtypi të hënën.
“Asnjë nga ato zgjedhje nuk ishte e mirë. Ne zgjodhëm të përfundojmë ndeshjen. Edhe pse shumë nga lojtarët nuk ishin në gjendje të luanin. Nuk ishte dëshira jonë. Por, ishin mundësitë e vetme që kishim dhe na u kërkua të merrnim një vendim.”
Sipas agjencisë së lajmeve CNN, UEFA është kontaktuar, por deri tani nuk ka dhënë ndonjë koment mbi kritikat e sulmuesit danez.
Kujtojmë se Christian Eriksen pësoi një atak kardiak gjatë ndeshjes mes Danimarkës dhe Finlandës, ditën e shtunë./InLajmi/