Kritika për Qeverinë Kurti kanë ardhur në senacën e sotme plenare nga deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, raporton InLajmi.
Hamza ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesë të masave konkrete në Rimëkëmbjen Ekonomike në vend, pas pandemisë.
“Shqetësuese për ne mbetet që as në programin qeveritar nuk parashihet as një masë konkrete, me burime të qëndrueshme të financimit se si do të bëhet rimëkëmbja ekonomike e vendit, pas pandemisë Covid-19. Për më keq një program për ekonominë shumë i paqartë edhe sa i përket çështjes së tatimeve”, tha ai.
Ish-ministri i Financave, poashtu ka paraqitur disa rekomandime të PDK-së për qeverinë, të cilat mund të merren parasysh gjatë rishikimit të buxhetit.
“Brenda këtij rishikimi propozojmë që të përfshihen pagat e punonjësve të sektorit privat në shumë prej 300 euro për muaj, retroaktive për përiudhën Prill 2021, për gjitha bizneset që kanë qenë të mbyllura ose kanë pasur probleme të funksionimit gjatë kohës së pandemisë. Mbështetje shtesë financiare në shumë 40 milionë euro të gjitha bizneseve që kanë qenë të mbyllura, apo kanë pasur probleme gjatë kohës së pandemisë. Të gjithë përfituesit e skemave sociale të paguhen me mjete shtesë prej 100 euro për muajt Maj, Qershor, Korrik dhe Gusht të vitit 2021. Familjet që nuk kanë asnjë të punësuar të mbështetën financiarisht nga buxheti i Kosovës 10 milionë euro. Të mbështet financiarisht sektori i shëndetësisë, arsimit, doganat që kanë qenë të ekspozuara drejtpërdrejtë gjatë pandemisë për muajt Qershor-Korrik dhe Gusht nga 200 euro për muaj. Me këtë ligj të rishikimit të buxhetit të parashihet edhe falja e gjobave të shqiptuara ndaj bizneseve në kohë pandemie. Ndërsa ata që i kanë paguar të rimbursohen”,u shpreh ai.
Deputeti tha se çështja e ekonomisë në vend duhet të jetë prioritare nga ekzekutivi./InLajmi/
















