Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Partisë Demokratike, Jemin Gjana, ka njoftuar se në zgjedhjet të cilat janë zhvilluar gjatë ditës së sotme, kanë votuar 41.100 persona apo 54.7%
Në një deklaratë për media, ai bëri me dije se numrin më të madh të votave e ka marrë Lulzim Basha, ndërkohë më pak ka marrë Fatbardh Kadilli.
“41.100 pjesëmarrja në total, pra 54.7%. Vota të vlefshme: 40.674 nga të cilat. Kadilli ka marrë 763 vota, Edit Harxhi 991 vota, Agron Shehaj 6036 vota, dhe Lulzim Basha 32.882 vota”, ka thënë ai në adresimin për shtyp.
“Materialet e degëve do Iimarrim sot, por degët e largëta do nisen në mëngjes dhe ipresim para orës 09:00. Nesër do shpallet rezultati zyrtar, pasi të bëhen numërimt e të gjitha qendrave të votimit”, shtoi më tej Gjana.
Kryetari në detyrë i PD-së, Lulzim Basha, theksoi se debati i lirë dhe konkurrenca janë vlerat e demokratëve.
Pasi mori pjesë në votimin për drejtuesin e ardhshëm të PD-së, Basha u shpreh se “me të njëjtat vlera do të ndërtohet edhe përballja me regjimin e Edi Ramës”.
“Këto janë vlerat tona, janë vlerat e demokracisë, janë vlerat e shprehjes së lirë, janë vlerat e konkurrencës dhe vlerat e debatit. Me këto vlera e kemi nisur betejën për ndryshimin, për Shqipërinë dhe për shqiptarët do ta çojmë deri në fund, deri në përmbysjen e regjimit Rama-Doshi”, tha sot Basha.