“Sot, Kosova shënon Ditën e Çlirimit. Njëzet e 2 vjet më parë, NATO-ja me fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, shënoi fillimin e fundit të luftës së kahmotshme në Kosovë. Asnjëherë s’mund të harrojmë punën e madhe që NATO me të gjitha kontigjentet e saj ka bërë në Kosovë edhe në kohën e intervenimit 78 ditë dhe netë që i dhanë fund gjenocidit e masakrave ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe mundësuan kthimin e qindra mijëra refugjatëve në shtëpitë e tyre.
Aleanca ushtarake më e fuqishme në botë u vu në mbrojtje të vlerave të paqes dhe demokracisë.
Sot, ne shprehim mirënjohjen e thellë për Aleancën Veriatlantike dhe bashkësinë ndërkombëtare që u vunë në mbrojtje të luftës së drejtë të popullit tonë për Liri, Pavarësi e Demokraci.
U jemi thellësisht mirënjohës të gjithë miqve tanë ndërkombëtarë që edhe sot vazhdojnë ta ndihmojnë forcimin e demokracisë së vendit tonë.
Sot, ne kujtojmë Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova, Familjen Jashari dhe të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe secilin qytetar të Kosovës, që dhanë jetën e tyre që gjeneratat tona ta gëzojnë lirinë,” është shprehur Abdixhiku, përmes një komunikate të lëshuar zyra për informim e LDK-së./InLajme/