Pas organizimit të djeshëm të ceremonisë fetare në Kishën Ortodokse Serbe, ka pasur reagime nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës, përcjell InLajmi.
UP ka shprehur shqetësimin e thellë për këtë ceremoni të mbajtur në kishën e cila është e ndërtuar ilegalisht nga ish-regjimi serb në kampusin e universitetit.
Nga universiteti është njoftuar se do të ndërmerren të gjitha veprimet ligjore për lirimin e kampusit nga çdo objekt i ndërtuar pa leje, përfshirë kishën. Përmes një komunikate të lëshuar për mediat, UP thotë se dënon çdo sjellje e cila paraqet provokim për studentët, stafin apo qytetarët e vendit.
Komunikata e Universitetit të Prishtinës:
Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ shpreh shqetësimin e thellë për ceremoninë fetare të organizuar dje nga Kisha Ortodokse Serbe, në objektin e ndërtuar ilegalisht prej ish-regjimi serb në kampusin e UP-së.
UP-ja njofton opinionin e gjerë që procesi dhe lokacioni i ndërtimit të këtij objekti janë aktualisht në procedurë kontestimore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, prandaj zhvillimin e djeshëm e sheh si tentim të sjelljes së UP-së para aktit të kryer, si dhe tentim për ndikim në procesin gjyqësor.
Universiteti i Prishtinës do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për lirimin e kampusit universitar nga të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, ku përfshihet edhe objekti në të cilin është organizuar ceremonia në fjalë.
Njëherësh, UP-ja fton të gjithë akterët e përfshirë në proceset nëpër të cilët po kalon Kosova, t’i kontribuojnë qartësimit të kësaj situate, në përputhje me normat ligjore.
UP-ja rithekson edhe një herë qëndrimin që kampusi universitar është i dedikuar vetëm për studentët dhe për aktivitete akademike, si dhe dënon çdo sjellje e cila paraqet provokim për studentët, stafin dhe qytetarët e vendit.
Rektorati i Universitetit të Prishtinës /InLajmi/




















